Në 28-vjetorin e rënies heroike, sot është përkujtuar dëshmori i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Shalës, Jeton Tërstena–TOTA, duke nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kabinetin qeveritar, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtarë dhe familjarë, bënë homazhe te varri i tij në Varrezat e Dëshmorëve në Bletaj, e më pas edhe në vendin e rënies në fshatin Pantinë.
“Jeton Tërstena–TOTA mbetet simbol i guximit, sakrificës dhe përkushtimit për lirinë e atdheut. Vepra e tij do të jetojë përherë në kujtesën tonë dhe në historinë e lavdishme të Kosovës. Lavdi e përjetshme dëshmorit Jeton Tërstena–TOTA”, deklaroi kryetari Idrizi.
Dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jeton Tërstena-TOTA, ka qenë pjesë e Brigadës 142, në Zonën Operative të Shalës.


