Komuna e Vushtrrisë njofton opinionin publik se dje është informuar se një grup qytetarësh të besimit katolik kanë tentuar të vendosin gurthemelin e një objekti fetar, kishë katolike, në fshatin Zagorë.
Sqarojmë se për këtë aktivitet nuk është paraqitur asnjë kërkesë për leje pranë Komunës së Vushtrrisë dhe, rrjedhimisht, nga Komuna nuk është lëshuar asnjë leje për vendosjen e gurthemelit, fillimin e punimeve apo zhvillimin e çfarëdo aktiviteti ndërtimor në atë lokacion.
Sipas informatave të pranuara, tentativa për vendosjen e gurthemelit është ndërmarrë pa njoftim paraprak të institucioneve kompetente dhe jashtë procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Lidhur me këtë çështje, Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës, me qëllim që institucionet kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre ligjore.
Komuna e Vushtrrisë rithekson se respekton dhe garanton lirinë e besimit dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve, pa dallim. Njëkohësisht, çdo ndërhyrje, ndërtim apo zhvillim në territorin e Komunës duhet të realizohet në përputhje të plotë me legjislacionin dhe procedurat në fuqi.
Komuna mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve dhe respektimit të procedurave institucionale, pa asnjë dallim mbi bazë fetare apo të çfarëdo natyre tjetër.
Për çdo aktivitet të kësaj natyre, personat fizikë dhe juridikë janë të obliguar t’i respektojnë procedurat ligjore dhe, kur kërkohet me ligj, të pajisen paraprakisht me lejet përkatëse nga institucionet kompetente.
Komuna e Vushtrrisë
18 gusht 2026