Në ambientet e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” u mbajt një akademi përkujtimore kushtuar së paku të 12 burrave të Parisë së Drenicës të pushkatuar 100 vjet më parë në hyrjen veriore të Vushtrrisë tek dheu i kanatave nga regjimi tiranik serb të cilët mësyen trojet shqiptare pas fillimit të rëniës së Perandorisë Osmane. Sot në Vushtrri pikërisht në ditën e rënies së tyre dhe në vendin e rënies u ngrit pllaka përkujtimore, zbulimin e së cilës e bënë kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, ai i Skenderajit Sami Lushtaku bashkë me familjarët e 12 burrave të Drenicës, gjaku i të cilëve u bë dritë lirie dhe përgatiti terrenin e shpalljes së Pavarsisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Manifestimi i sotëm i cili u përcoll nga qindra qytetarë ishte organizuar në kuadër të aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë dhe ditës së Flamurit. “Heronjët tanë të të gjitha kohërave nuk do t’i lëmë në harresë në asnjë kohë. Këta heronjë që sot i nderojmë ishin patriotët dhe mbështetësit në veprimtarinë kombëtare të të madhit Hasan Prishtina” tha kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku. Shkrimtari Bedri Tahiri në referatin e tij kushtuar kësaj ngjarje e theksoi: “Regjimi tiranik serb krahas dhunës fizike, vrasjeve e masakrimeve barbare, vuri në përdorim zanatin stërgjyshor dredhinë. Ata, një ditë, në pabesi, i zunë dhe i pushkatuan pjesën më të madhe të Parisë së Drenicës, me motivacion se kishin dorë në organizimin e kryengritjeve të armatosura antiosmane, në vrasjen e konsulit rus, Grigor Shçerbinit, në Bair të Mitrovicës, më 29 mars 1903 dhe në përhapjen e rrezeve të diturisë. Pra, ata, pasi i mblodhën gjithandej Drenicës, i sollën këtu në hyrjen veriore të Vushtrrisë, tek Ura e Podrançës, e gjegjësisht te “Dheu i kënatave” siç i thoshin në atë kohë atij vendi, dhe i pushkatuan një nga një. U kishte mbetur vetëm Ahmet Deliu, me të cilin u ndeshën pak më vonë, më 25 dhjetor 1912” tha Bedri Tahiri. Familjarët e këtyre trimave përgëzuan komunën e Vushtrrisë për organizimin e kësaj ngjarje dhe ngritjen e pllakës përkujtimore. Stërnipi i njërit nga ta Shaqir Hoxhë Rrezollës, Gani Ametaj kishte ardhur nga Çikagoja e SHBA-ve për të nderuar stërgjyshin dhe trimat tjerë të Parisë së Drenicës: “Falenderoj Komunën e Vushtrrisë dhe kryetarin e saj për kujdesin e treguar për mos t’i lëne në harresë heronjët tonë të periudhave të ndryshme kohore” tha Ametaj.
Kush janë të pushkatuarit e Parisë së Drenicës?
Të vrarë në këtë ditë dhe vend ishin: Rexhë Bajraktari(Llaushës), flamuri i të cilit kishte valvitur krenarisht që nga luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Toplicës e të Mollës së Kuqe dhe pasëtaj vazhimisht shkëlqeu edhe në të gjitha luftërat e betejat e mëvonshme çlirimtare. Ishte Dërgut Bajraktari i Drenasit që ia ndali turrin Jashar Pashës, cili kishte prekur sedrën e shqiptarëve, duke ua kërkuar vashat e reja për argëtim. Ishin Ramdan Bajraktari i Klinës së Epërme dhe Zenel Sadiku i Abrisë së Poshtme që pos tjerash përfaqësuan Drenicën në Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishte Halil Haxhia i Vitakut, i cili me mish e me shpirt, duke shkrirë edhe pasurinë për përhapjen e rrezeve të diturisë, që ditën kombtare serbët, për së gjalli e futën në dhe. Rrugën e tij prej arsimdashësi e vazhdoi me sukses i biri, Ejupi. Ishte Shaqir Hoxhë Rezalla, perhapës i diturisë dhe tagrambledhës për ushtrinë e Hasan Prishtinës. Ishin Hetem Kozhica I Kozhicës, Mehmet Lutani i Turiqefcit, Idriz Selimi i Makërmalit, Selman Kryshefci i Kryshefcit e Temë Dobrashefci i Dobrashefcit, të cilët u shquan në betejat kundër Shemsi Pashës, në djegien e Sarajit “Hamidi” dhe ne dëbimin e Kajmekamit Kahreman beu nga Drenica, në Kuvendin e Morinës(1903) si dhe në vrasjen e konsulit rus, Shçerbinit në Bair të Mitrovicës. Ishte edhe Fejzullah Limani i Lubovecit që i bëri konak Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tij të plagosur në betejën e Boletinit. Në shënimin e kësaj ngjarje në fund të akademisë u dha edhe një program shumë i begat kulturor i përcjellur me recital dhe këngë patriotike të përgatitura nga Qendra e Kulturës Hasan Prishtina.
“Heronjët tanë nuk do të lejojmë t’ia lëmë harresës” Bajram Mulaku kryetar i Komunës së Vushtrrisë