Sot, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së dhe Ditës së Mësuesit, u përurua trilogjia e veprave kushtuar krijimtarisë letrare të shkrimtarit dhe profesorit të shquar, Bedri Tahiri, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij.
Trilogjia përfshin veprën “Në stuhitë e kohës – Bedri Tahiri në kujtesë të brezave”, me 125 autorë të përzgjedhur nga poeti Atdhe Geci, si dhe veprat “Vepra letrare – Testament breznive orëmira (Antologji e krijimtarisë së Bedri Tahirit)” dhe “Pena dritë – Fjala përjetësi (Krijimtaria letrare e Bedri Tahirit)”, të autorit Xhemail Ali Peci.
Përurimi u organizua nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili tha se kjo ngjarje është një dëshmi e respektit dhe mirënjohjes për një jetë të tërë të përkushtuar ndaj fjalës së shkruar, dijes dhe edukimit të brezave.
“Krijimtaria dhe kontributi i profesorit Bedri Tahiri në letërsi dhe në edukimin e brezave përbëjnë një vlerë të çmuar për kulturën dhe kujtesën tonë kombëtare. Profesorit Bedri Tahiri i uroj shëndet dhe shumë vite të tjera krijimtarie”, deklaroi kryetari Idrizi.





