“ Të enjtën e datës 5 korrik rreth orës 16:00, dhjetra plumba të shkrepur nga ahengjet familjare në qytet apo fshatrat e rrafshit të tij bien në fushat e poshtme të fshatit, aty ku luanin fëmijët dhe njëri nga ta e qëllon Egzonin, duke lënë për momentin të palëvizshëm ” rrëfen ngjarjen babai i Egzonit, Nuredini. Si pasojë e këtij plumbi, Egzoni tani 8 ditë qëndron i shtrirë në spitalin e Prishtinës në repartin e ortopedisë së re, ku mjekët po mundohen që fëmiu mos të jetë me pasoja për jetën. “ Para dy ditësh Egzoni është operuar, por përkundër angazhimit maksimal të mjekëve, plumbin nuk arritën ta nxirrnin nga trupi, na mban shpresa që gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet duke bashkjetuar me plumbin, ndryshe duhet gjetur shërim jashtë vendit ” thotë Nuredini.
Egzonin e plagosur nga spitali për vikend, familjarët e kishin marrur në shtëpi për ta kthyer në spital të hënën në mëngjes. Ai rrinte i shtrirë në shtratin e tij të vendosur në natyrë, gjersa vëllezërit i rrinin pranë së paku për t’i hjekur mërzinë dhe lehtësuar dhimbjen. Ai thotë që tani dhimbjet i ka më të vogla, por se kur do të mund të lëvizë nga shtrati nuk e di. Duke kujtuar momentin e goditjes nga plumbi, thotë: “ Isha ulur në livadh bashkë me shokët dhe e ndjeva një dhimbje në trup. Mendova se më kafshoi gjarpëri, apo dikush më goditi me gur, por nuk ishte as njëra as tjetra, pasi gjaku më rrjedhte shumë…” thotë Egzoni. Ai edhe nga shtrati ka një apel për të gjithë qytetarët që në gazmende familjare shtijnë me armë. “ U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që mos të gjuajnë me armë në gazmende familjare, pasi plumbat e shkrepur mund të lëndojnë fëmijë e qytetarë të tjerë ” thotë Egzoni. Apelit të Egzonit iu është bashkuar edhe komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, të cilët kanë kërkuar intervenime më energjike nga ana e Policisë së Kosovës në ahengjet e tilla, ku festohet duke gjuajtur me armë. “ Përkundër kapjes së një numri të armëve me të cilat është shtënë nëpër ahengjet e tilla nga Policia e Kosovës, brengos fakti që akterët e tillë përfundojnë me dënime simbolike nga gjykata ” u tha ndër të tjera në takimin e KKSB-së.
Fëmiu 14 vjeçar, Egzon Makiqi nga fshati Reznik nuk u plagos as në luftë e as në ndonjë konflikt të mundshëm. Nxënësi, i cili kishte mbaruar klasën e 8-të të shkollës së fshatit, e qëllon plumbi i ashtuquajtur qorr nga të shtënat e gazmendeve familjare qindra metra larg nga vendi ku ai luante me moshatarët e tij.