Më 28 korrik kryetari i Komunës së Vushtrrisë- Bajram Mulaku dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë “Core steel Llamkos Galva Stell” Paul Park patën nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e shëtitores në brigjet e lumit “Tërstena” dhe “Silnica” dhe gjersa punëtorët e vyer të kësaj kompanie gjatë ditës po kryejnë punën e tyre duke krijuar ambient shumë të mirë për vizitorët dhe mbajtur pastërtinë në këto shëtitore, keqbërës të ndryshëm gjatë netëve të fundit kanë shkatërruar e dëmtuar disa nga ulëset e shëtitores, thyer poçat e ndriçimit publik të saj, si dhe demoluar shportat për hudhje të mbeturinave. Drejtori i Drejtorisë Komunale të Shërbimeve Publike- Sami Istrefi bashkë me zyrtarë të “Llamkosit” ka vizituar shëtitoren dhe shprehur zhgënjimin e tij për dëmtimet e tilla, të bëra në shëtitore në të cilën thotë se është pasuri për vet qytetarët e kësaj komune. “Komuna Vushtrrisë bashkë me Policinë e Kosovës do ta ruajë këtë investim të kryer në partneritet me USAID-in, pasi është ndërtuar për t’iu shërbyer qytetarëve, të cilët në masë të madhe edhe e vizitojnë” ka thënë Istrefi. Ai bashkë me zyrtarët e “Llamkosit” premtuan që dëmi i shkaktuar në shëtitore nga keqbërësit do të riparohet dhe se keqbërësit do të evidentohen, kapen dhe sillen para organeve të drejtësisë. Një gjë të tillë e pohon edhe komandanti i stacionit policor Abdylaziz Hoxha, i cili thotë që Policia Kosovës është duke bërë hetime në rrugën e duhur për t’i kapur keqbërësit e tillë. “Kemi shtuar patrullimet rreth shëtitores për të parandaluar mundësinë që aktet e tilla të dëmtimeve mos të përsëriten gjersa njësitë tjera po merren me hetimet për kapjen e keqbërësve” ka thënë kapiteni Hoxha. Ndryshe në ndërtim të shëtitores së “Silnicës” si dhe hapësirës përreth saj janë investuar 64.974€ dhe se së shpejti pritet të bëhet përurimi zyrtar i investimit nga donatori USAID-i Amerikan.
Keqbërës të ndryshëm gjatë netëve të fundit kanë shkatërruar e dëmtuar disa nga ulëset e shëtitores