Dikur stacioni i autobusëve në Komunën e Vushtrrisë kishte mbi 300 punëtorë me hapësira impozante për të ushtruar veprimtarinë e vet, objekt modern për administratë dhe pritje të udhëtarëve duke përfshirë hotelier impozant të udhëtarëve për kohën, sot i gjithë ky objekt të ngjason me një gërmadhë dhe është thuajse tërësisht i pashfrytëzuar. Ligji për Ndërmarrjet Publike dhe një marrëveshje e nënshkruar mes kryetarit të komunës Bajram Mulakut dhe AKP-së, e cila kalon kompetencat menaxheriale e nga AKP-ja tek komunat ka bërë që drejtori i Drejtorisë Komunale të Shërbimeve Publike- Sami Istrefi, të i bëjë një vizitë stacionit të autobusëve me gatishmërinë që këtë objekt ta vë në funksion të qytetarëve të komunës. “Ne si komunë jemi të gatshëm t’i marrim kompetencat për një menaxhim e fikas të këtij aseti publik lokal tani, por që problem po na paraqitet prona në këtë hapësirë pasi që po pretendojnë qytetarët se është e tyre” thotë Istrefi. Ai së pari mendon ta ngrit një komision për të punuar asetet e kësaj kompanie në gjendjen si janë nga AKP-ja e më pas të mendohet për mënyrën e shfrytëzimit të tyre. “Mendoj që një stacion urban dhe punë tjera përcjellëse në te do të ishin të mirëseardhura duke pasur parasysh pozitën ideale të gjendjes së këtij objekti” ka vlerësuar Istrefi. Sipas fjalëve të drejtuesit të stacionit të autobusëve- Hilmi Hoxha, aktualisht ai arrin të gjenerojë vetëm 250 euro të hyra mujore nga daljet e hyrjet e autobusëve në të, gjersa kanë mbetur vetëm 8 punëtorë nga 302 sa ishin dikur. “Objekti i stacionit të autobusëve është në gjendje të mjerueshme dhe pa riparim të tij nuk mund të funksionalizohet” thotë Hoxha. Përkundër vullnetit të komunës për të ndryshuar gjendjen për të mirë në riparim të stacionit të autobusëve, ende mbetet pezull procesi gjyqësor në kontestin pronësor të tokës, pasi 7 qytetarë mendojnë të jenë pronar të asaj toke. “Lënda është në Gjykatë të Qarkut në Mitrovicë në objektin veri me kërkesën e kompensimit në procedurë të eksproprijimit” thotë avokatja e komunës Arjeta Sadiku.
Shtatë qytetarë pretendojnë të jenë hisedar të tokës në sipërfaqe prej 1 ha e 30 ari, në të cilën është ndërtuar stacioni i autobusëve në vitet 1986-87