Mijëra qytetarë, të martën u kanë dhënë lamtumirën e fundit 12 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, e që konsideroheshin të zhdukur për vite derisa janë gjetur në varrezat masive në Serbi. Pas homazheve të bëra në Palestrën e sporteve, rivarrimi është bërë në varrezat e martirëve në qytet ku janë rivarrosur Hasan (Ibrahim) Melenica, Nistret (Ali) Melenica, Fehmi (Ukshin) Musa, Jeton (Rifat) Verbovci, Haki (Zeqir) Kadriu, Rrahim (Hasan) Shkreli, Bedri (Ramadan) Kutllovci, Idriz (Ragip) Hasani, Naser (Arif) Zeka, Agim (Arif) Zeka, Adem (Rrustem) Krasniqi dhe Fetah (Muharrem) Smajli.
Në fjalën me rastin e rivarrimit, kryetari i komunës Bajram Mulaku ka folur për krimet që ka bërë serbia në majin e vitit 1999 në Vushtrri si dhe tentimin e zhdukjes së gjurmëve të krimit që bënë forcat serbe. Ai tha se me 22 maj forcat paramilitare e militare serbe vranë, plagosën, dhunuan, burgosën e dëbuan popullatën civile, ku vranë 34 qytetarë, por që edhe u tentua të fshehen gjurmët e krimit për 68 qytetarë tjerë. “Sot pikërisht në 13 vjetorin e 22 Majit, të vitit 1999 të ditës së dhembjes dhe krenarisë së madhe, po ia kthejmë tokës dhe vendlindjes së tyre, 12 bijtë e saj të devotshëm të cilët u flijuan për të”, ka thënë Bajram Mulaku.
Ndërkaq Prenk Gjetaj nga komisioni i qeverisë për të pagjeturit, premtoi se nuk do të mungoi angazhimi për zbardhjen e fatit të të zhdukurve tjerë. Ndërkaq Vehbi Halili, nga shoata Martirët e Lirisë, kërkoi nga institucionet e shtetit që të kujdesën më shumë për familjet e të zhdukurve dhe martirëve.
Ndërkaq Musli Melenica, familjar që kishte pesë të zhdukur në familjen e tij, tha se familjeve u duhet të gjejnë forcë që ta mbajnë lartë idealin e martirëve të rënë.
“Neve na mbetet të gjejmë forcë për qëndresë, sepse martirët e dëshmorët e lirisë gjithherë do ta kishin këtë ideal dhe këtë gatishmëri për sakrifica dhe i ndejtën besnik Kosovës deri në momentin e rrëmbimit të dhunshëm nga kriminelët serb”, ka thënë Melenica.
“Maji i vitit 1999 ishte muaji i qëndresës e sakrificës, i flijimit e solidaritetit të madh, por 22 Maji është një kaptinë e veçantë e flijimit”, ka thënë Mulaku