Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka njoftuar për vazhdimin e partneritetit të Komunës së Vushtrrisë me ndërmarrjen “Ibër – Lepenc” për ujitjen e tokave bujqësore.
Postimi i plotë i kryetarit Idrizi:
Me përkushtimin për të qenë pranë fermerëve të Vushtrrisë, edhe këtë vit vazhdojmë partneritetin me ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, duke mbuluar 50% të kostos së ujitjes për tokat bujqësore. Ky është një investim i drejtpërdrejtë në prodhimin vendor, në rritjen e rendimenteve dhe në fuqizimin e sektorit që mban gjallë shumë familje të komunës sonë.
Së bashku me Kryeshefin e ndërmarrjes, z. Faruk Mujka, sot zyrtarizuam vazhdimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve tona, duke dëshmuar se partneritetet që sjellin përfitime konkrete për qytetarët duhet të vazhdojnë dhe të forcohen.
Do të vazhdojmë të jemi në mbështetje të bujqësisë dhe fermerëve tanë, duke investuar në zhvillimin e një sektori jetik për Vushtrrinë!

