Komuna e Vushtrrisë, e përfaqësuar nga drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Benjamin Shala, kryesuesi i grupit teknik, Islam Latifi, dhe anëtari i grupit teknik, Izet Krasniqi, mori pjesë në punëtorinë e radhës, të organizuar në Stamboll në kuadër të projektit MoveSafe+, me fokus finalizimin e Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (SUMP) për Komunën e Vushtrrisë, me mbështetjen dhe asistencën e UN-Habitatit.
Kjo punëtori ishte një hap i rëndësishëm në procesin e hartimit të planit dhe në përgatitjen për zbatimin e masave konkrete për një mobilitet më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më miqësor ndaj mjedisit.
Procesi i hartimit të këtij plani është zhvilluar në mënyrë gjithëpërfshirëse, përmes punëtorive dhe konsultimeve me akterët relevantë, përfshirë institucionet publike, Policinë e Kosovës, komunitetin, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, ekspertët dhe përfaqësuesit e grupeve të ndryshme të qytetarëve.
Përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me mbështetjen e UN-Habitatit, përfshirjes së të gjithë akterëve dhe shkëmbimit të përvojave me qytete të tjera, do të kontribuojmë në mënyrë të planifikuar në krijimin e kushteve më të mira për këmbësorët, çiklistët, personat me aftësi të kufizuara dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës në Vushtrri.
Mobilitet i qëndrueshëm për një Vushtrri më të sigurt dhe më të zhvilluar!

