“Muzeu ka disa sektorë: sektorin e historisë, arkeologjisë dhe etnografisë. Është larg të dëshiruarës dhe siç e meriton Vushtrria por kemi synimin, gatishmërinë dhe vullnetin për të ecur dhe bërë një muze joshës për të gjithë qytetarët” shprehet Begu. Ajo thotë ta ketë hulumtuar dasmën se si është bërë në të kaluarën në këto treva. “Në qytet dasmat kanë qenë të organizuara ndryshe nga sot, nusja është marrë pas orës 24, pra natën, gjersa në fshatra ditën. Muzika në qytet në këto gazmende ka qenë paksa e dominuar nga kultura osmane, gjersa në fshatra ka qenë autoktone shqiptare” thotë Begu. Në muze është pasqyruar bukur edhe e kaluara e mjeshtërive popullore siç ishin drugdhendja, gurgdhendja, punimi i pëlhurës, punimet e vekut, saraqet, metalpunuesit, shtypësit e zgjunit etj. “Sot në Vushtrri ende punohet nga mjeshtëritë e drugdhendja, mjeshtëritë për punim të instrumenteve muzikore, metalpunuesit, këpucë ndreqësit, saraqët e ca tjerë.
Etnografja Begu thotë që sektorin e etnografisë në muze ta ketë më të pasurinë pasi kanë arritur të kenë të improvizuar dhomën qytetare vushtrriase siç ishte dikur, dhomën e oxhakut , sofrën, dhomën e vekut të pajës etj. Ajo për sektorin e arkeologjisë shprehet të kenë arritur të gjejnë gurë të vjetër të mermerit, me shkrime e simbole të ndryshme, si simboli i diellit me vija zikzake etj.
Në sektorin e historisë sipas Begut, pasuri e muzeut janë fotografitë e personaliteteve të shquara kombëtare të kësaj treve si dhe të dëshmorëve të luftës së fundit duke përfshirë edhe ditar të tyre e vlera tjera materiale. Etnologia Begu shprehet që muzeu vizitohet nga qytetarët, por jo në masën e dëshiruar, “shpresojmë që së shpejti do të dalim në objektin e ri të muzeut, i cili do të vendoset në shtëpinë në renovim të shekullit XVIII të Mahmut Agë Gjinollit, ku kushtet për të vizituar muzeun do të jenë shumë më të mira, e më pas planifikojmë që vizitat të bëhen sistematike nga nxënësit e të gjitha shkollave” thotë Begu.
Begu në fund ka këtë mesazh: Pa u hulumtuar e kaluara nuk mund të jetohet e tashmja e as të ndërtohet e ardhmja”
Muzeu historik-etnografik i qytetit të lashtë është themeluar në vitin 2005 me vendim të kuvendit komunal. i vendosur në një nga zyrat e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, me ca eksponate të ekspozuara dhe vetëm me një punëtor konsiderohet të jetë muze modest i një qyteti të lashtë, i cili vet është muze. “Edhe pse në këto kushte, kemi arritur të sigurojmë një numër modest të eksponateve, me të cilat pasqyrojmë të kaluarën tone, trashëgimin tone, qoftë atë materiale apo shpirtërore” thotë etnologia dhe drejtuesja e muzeut Shykrane Begu.
Në kuadër të vështirësive gjatë punës , për të mbledhur eksponatet Begu përmend luftën e fundit , e cila ka shkatërruar e djegur eksponatet të cilat i kanë ruajtur qytetarët edhe në shtëpitë e tyre në mungesë të muzeut.