Me aktivitete të shumta të premten në Vushtrri është shënuar katër vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Përveç homazheve në varrezat e dëshmorëve dhe gjithë të rënëve për liri, është mbajtur një akademi solemne si dhe marshi i pavarësisë nëpër qendër të qytetit. Homazhe janë bërë edhe në Prekaz edhe në varrezat e dëshmorëve të komunës së Vushtrrisë.
Në fjalimin, kryetari i komunës Bajram Mulaku ka folur për të arriturat që ka shënuar gjatë katër viteve të pavarësisë. “Brenda katër viteve komuna jonë dhe qytetarët e saj, kanë se për çka të krenohen. Janë realizuar, mbi 600 projekte në vlerë mbi 45 milion, të cilat shpresoj ta kenë përmirësuar jetën e qytetarëve. Të gjitha këto investime patën mundësi të realizohen falë 17-Shkurtit, i cili është rrjedhojë edhe i përpjekjeve të brezave të qytetarëve të këtij rajoni, është fryt i luftës së lavdishme të UÇK-së, gjakut të dëshmorëve tanë”, ka thenë Mulaku.
Por Mulaku ka thënë se qytetarët e Kosovës edhe katër vjetë pas bërjes shtet kanë ende sfida të mëdha siç është Veriu i Kosovës.
Ndërkaq kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së Xhafer Istrefi, ka kërkuar respekt më të madh për njerëzit që dhanë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pas akademisë solemne me rastin e pavarësisë, nga Qendra e Kulturës deri në Sheshin Adem Jashari, drejtues të komunës, përfaqësues politik dhe institucional dhe qytetarë të shumtë kanë defiluar në aktivitetin marshi i pavarësisë.
Brenda katër viteve komuna jonë dhe qytetarët e saj, kanë se për çka të krenohen. Janë realizuar, mbi 600 projekte në vlerë mbi 45 milion, të cilat shpresoj ta kenë përmirësuar jetën e qytetarëve